Nxënësit e shkollës së mesme nga Velesi dhe ideja e tyre e biznesit për filtër për pastrim janë fituesit e garës së Junior Achievement 

Posted on: 24.06.2021

Ekipi Win nga shkolla e mesme profesionale “Dimitrija Çupovski” nga Velesi, ofroi një filtër inovativ për pastrimin e ujit natyror, i destinuar për rekreacion në natyrë në një situatë ku nuk ka qasje në ujë të pijshëm. Filtri “Up-grade“ i eliminon mikrobet që gjenden në ujin e lumit, liqenit ose në ujin e shiut dhe e pastron atë nga bio-kontaminimet dhe bakteret. Megjithëse është destinuar kryesisht për përdorim në natyrë, filtri special mund të përdoret edhe në shkollë, në punë ose në shtëpi. Cikli i pastrimit të ujit aktivizohet thjesht duke e mbushur shishen dhe duke e tundur atë. 

Vendin e dytë e fitoi ekipi nga shkolla e mesme e përgjithshme “Rade Jovçevski – Korçagin” nga Shkupi, me çantën e shpinës për shumë qëllime, të bërë me materiale të përdorura, e cila përfshin një xhaketë të papërshkueshme nga uji, filtër uji dhe ngarkues me llambë, i furnizuar me energji nga një panel i vogël i integruar diellor.  

Me çmimin e tretë u vlerësua ideja për automatë për riciklimin e atleteve të vjetra nga ekipi i nxënësve të shkollave të mesme nga shkolla “Vllado Tasevski”, Shkup. Për çdo palë atlete të vjetra të lëna në automat, konsumatorët marrin një zbritje prej 10% në pajisje sportive në dyqanet që bashkëpunojnë me kompaninë e nxënësve, kurse një pjesë e fitimit u dhurohet familjeve në nevojë. Lidhje/link me njoftimin për ekipet fituese. 

Këto dhe shumë zgjidhje të tjera kreative u prezantuan javën e kaluar nga nxënësit e shkollave të mesme përpara jurisë së përbërë nga katër anëtarë. Kampi i inovacioneve u mbajt në periudhën nga 9 deri më 23 qershor të vitit  2021, në të cilin morën pjesë 66 nxënës, nga 9 ekipe të shkollave të mesme të Velesit, Vinicës, Koçanit, Strumicës dhe Shkupit.  

Junior Achievement (JA) Maqedoni përsëri e nxiti përfshirjen e komunitetit të biznesit, i cili përmes 9 vullnetarëve të biznesit i udhëzoi studentët në mënyrë profesionale në procesin e hartimit të planeve të biznesit dhe çfarë do të thotë të zbatosh një ide në realitet. Në këtë mënyrë, nxënësit patën mundësinë të tregojnë inovacionin e tyre, të ndërtojnë shpirtin e ekipit dhe të fitojnë njohuri të reja në fushën e sipërmarrjes. 

Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, e cila u zhvillua më 23 qershor në platformën Zoom, foli Erik Janovski, Përfaqësuesi i USAID-it në vend,  i cili theksoi se shpreson që aftësitë, kreativiteti dhe zgjidhjet e sapo mësuara do t’i ndihmojnë nxënësit të bëhen sipërmarrës krijues. Ai shpreson që përvojën e tyre, të cilën e fituan, duke marrë pjesë në Kampin e Inovacioneve, do ta përdorin për të zbuluar se si të kontribuojnë për një të ardhme më të mirë në komunitet dhe në vend. Ai, gjithashtu, nënvizoi mbështetjen e USAID-it që të rinjtë të marrin pjesë aktive në përcaktimin e programeve arsimore dhe të karrierës në vendin e tyre 

Z. Janovski, gjithashtu, i falënderoi nxënësit që, në hartimin e ideve të tyre, u përpoqën të riciklojnë, të jenë gjithëpërfshirës, por edhe të përdorin burime të ripërtëritshme të energjisë. 

Drejtuesja e Fondit për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik, Katerina Kreçeva, beson se me këtë përvojë nxënësit fitojnë njohuri të vlefshme për të ardhmen dhe se ata do ta përjetojnë këtë proces si një përvojë pozitive në jetën e tyre. Zonja Kreçeva shpreson që nxënësit do të vazhdojnë me idetë e tyre sipërmarrëse dhe se së shpejti do t’i shohim si themelues të kompanive të tyre në të ardhmen. Ajo pret dhe shpreson që ekipet e nxënësve, me idetë e tyre nga ky kamp inovacioni, t’i drejtohen Fondit për të marrë mbështetje më sistematike nga programet e FIZHT-së, në mënyrë që të mbështeten idetë e nxënësve dhe të krijohen histori suksesi dhe një e ardhme më e mirë 

Nxënësve dhe mysafirëve të pranishëm, gjithashtu, iu drejtua Sherif Miftari, Drejtor i Qendrës për Arsim dhe Trajnim Profesional, duke u thënë nxënësve se garat e Junior Achievement Maqedoni janë një model i mirë, ku ata do të mësojnë të zgjidhin probleme, të mendojnë në mënyrë krijuese dhe të forcojnë aftësitë komunikuese, prezantuese dhe drejtuese, ku, të gjitha këto, janë çelësi i suksesit në ekonominë e sotme globale. 

Junior Achievement Maqedoni, me ndihmën e sponsorëve, siguroi dy çmime shtesë për ekipet e nxënësve nga shkollat e mesme “Cvetan Dimov” nga Shkupi dhe “Ljupço Santov” nga Kocani, duke përfunduar kështu një cikël tjetër të programit për vitin shkollor 2020/2021.