“LifePal” – fituese e Garës kombëtare të kompanive të nxënësve 

Posted on: 13.06.2021

Fituese e garës kombëtare të kompanive të nxënësve për vitin akademik 2020/2021, organizuar nga Junior Achievement Maqedoni, është kompania e nxënësve “LifePal” nga shkolla e mesme Nikolla Karev në Shkup. Kompania e tyre ofron një zgjidhje interesante dhe praktike për situata të paparashikueshme nga jeta e përditshme në shkollë, punë ose rekreacion. Kompletet e nevojshme janë paketa të vogla, që përbëhen nga disa produkte, të cilat do të jenë lehtësisht të arritshme në makinat/automatët e instaluara për shitjes. “LifePal” do të marrë pjesë në garën evropiane të kompanive të nxënësve, e cila këtë vit do të mbahet në mënyrë virtuale nga 13 deri më 15 korrik. Për herë të parë, Junior Achievement Europe dhe Junior Achievement Lituani në një ngjarje të madhe GJENERATA-E, do të bashkojnë dy garat, të cilat e festojnë sipërmarrjen. 

Kompania e nxënësve “TechBook”, që fitoi çmimin e dytë nga shkolla e mesme Josip Broz Tito në Shkup, ofron fletore inteligjente dhe ueb faqe. Ueb faqja është me karakter edukativ dhe ofron hapësirë ​​për ruajtjen e shënimeve dhe videove të dobishme. Fletorja inteligjente do të lehtësojë mënyrën e shkrimit dhe organizimit të shënimeve dhe detyrave të shkollës dhe ofron transferimin e drejtpërdrejtë të të dhënave në kompjuter. 

Vendin e tretë e fitoi kompania e nxënësve “Grow Green” nga SHMQSH Koço Racin në Shkup, e cila zhvilloi idenë e eko-kafeterisë, prodhimet e së cilës janë të biodegradueshme dhe ekologjike. Bimët specifike që do të kultivohen në hapësirë ​​kanë rolin e dekorit dhe pastruesit të ajrit dhe do të përdoren për shitje. 

Këto janë disa nga idetë që komisioni i jurisë, i përbërë nga gjashtë anëtarë, kishte mundësinë t’i dëgjonte nga nxënësit. Në garën, e cila u zhvillua nga 10 deri më 31 maj të vitit 2021, morën pjesë 108 nxënës nga 23 ekipe të shkollave të mesme nga Berova, Manastiri, Velesi, Gjevgjelia, Koçani, Kumanova, Ohri, Prilepi dhe Shkupi. 

Duke i shfrytëzuar të gjitha përfitimet e teknologjisë, Junior Achievement Maqedoni i prezantoi nxënësit në një mënyrë interesante në të gjitha fazat e konkursit në rrugë virtuale. Duke shkruar dhe hartuar raport të kompanisë, duke prezantuar idenë në mediat sociale, duke bërë video promovuese dhe prezantime, nxënësit prezantuan kompaninë e tyre të nxënësve dhe e forcuan punën e tyre në ekip dhe aftësitë e prezantimit. Me mësuesit e tyre dhe punën gjatë gjithë vitit shkollor në këtë program, ata fituan përvojë praktike të të bërit biznes dhe marketing dhe i forcuan njohuritë e tyre financiare dhe gatishmërinë për të punuar. 

 Ngjarja zyrtare për shpalljen e Kompanisë më të mirë të nxënësve u zhvillua më 31 maj. 

Përmes paraqitjeve të tyre, pjesëmarrësit i përshëndetën: Erik Janovski, përfaqësues i zyrës së USAID-it në RMV, i cili theksoi se arsimi sipërmarrës është një model i suksesshëm i të mësuarit, që ndikon pozitivisht në zhvillimin afatgjatë dhe punësimin e të rinjve, dhe me krijimin e një kulture sipërmarrëse, nxënësit e shkollave të mesme mund të luajnë një rol aktiv në përcaktimin e arsimimit dhe karrierës së tyre; Kosta Petrov, Drejtor i FIZHT-it, i mirëpriti idetë dhe inovacionet e studentëve dhe i inkurajoi ata që të vazhdojnë të zhvillojnë idenë e tyre në realitet, duke theksuar rëndësinë e inkurajimit të krijimtarisë dhe mendimit kritik dhe duke e ushqyer frymën kërkimore dhe sipërmarrëse në vendin tonë. Milla Carovska, Ministre e Arsimit dhe Shkencës tha se përmes nxitjes  për garë zhvillohet shpirti garues kolektiv, vetëdija dhe përgjegjësia personale, duke theksuar se të rinjtë duhet të mbështeten me mundësi arsimore në përputhje me epokën e teknologjisë digjitale të IT.  

Gara kombëtare është pjesë e projektit për Mbështetjen e mësimit sipërmarrës në Evropë dhe Euroazi, të mbështetur nga USAID-i, Fondi për inovacion dhe zhvillim teknologjik dhe Agjencia për mbështetjen e sipërmarrjes në RMV. Tre ekipet më të mira u shpërblyen edhe nga ndihmësit e këtij viti SEMOS Education dhe PAKOMAK. 

Junior Achievement Maqedoni, këtë vit dha çmimin për prezantimin më të mirë të produktit ose shërbimit, përmes rrjeteve sociale dhe videos së kompanisë së nxënësve Health Activity Providers nga SHMPK Dimitrija Cupovski nga Velesi. Për përkushtim në punën e programit, u ndanë dhe çmimet për mësuesin më të mirë, që  iu dha znj. Snezana Boshkovska nga shkolla e mesme Nikolla Karev nga Shkupi dhe shkolla më sipërmarrëse – SHMEK Kuzman Josifovski – Pitu nga Prilepi. Për herë të parë, Junior Achievement Maqedoni dha edhe çmimin për esenë më të mirë mbi dilemën etike në biznes. Nxënësi David Arsovski nga SHMEJQSH Vasil Antevski Dren, mbrojti me sukses qëndrimin e tij kritik mbi sfidën e dhënë për sjelljen etike.