GIRLS GO CIRCULAR PROJEKT PËR FORCIMIN E AFTËSIVE DIGJITALE DHE SIPËRMARRËSE TE VAJZAT

Posted on: 16.12.2021

Girls Go Circular është një program i ri, në të cilin Junior Achievement Maqedoni u përfshi këtë vit shkollor. 

Projekti zbatohet në 5 shkolla të mesme të rrjetit tonë, përmes platformës edukative https://eit-girlsgocircular.eu/, në kuadër të së cilës 100 nxënës do të kenë mundësi të thellojnë njohuritë e tyre për ekonominë qarkulluese, duke përvetësuar aftësi digjitale dhe sipërmarrëse. Platforma dhe kurset janë krijuar për të angazhuar nxënësit në aktivitete praktike, individuale dhe në grup, dhe për t’i inkurajuar ata të punojnë në zgjidhjet e sfidave të rëndësishme sociale dhe ekologjike. 

Kjo mund të jetë një mundësi e shkëlqyer për të gjithë ata që duan të marrin pjesë në kompani të nxënësve dhe të kenë ide për një produkt apo shërbim që do ta ofrojnë. 

Mësuesit e përfshirë në projekt janë pjesë e programit të Junior Achievement Maqedoni dhe kalojnë trajnime plotësuese për realizimin e aktiviteteve me nxënësit e tyre. Nëpërmjet orëve shtesë, ata i njohin nxënësit me ekonominë qarkulluese dhe sfidat e përdorimit, konsumit dhe ripërdorimit të qëndrueshëm të resurseve natyrore. Temat përfshijnë përdorimin si duhet dhe ripërdorimin e plastikës, metaleve, tekstileve në industrinë e modës, pajisjeve elektronike, telefonave inteligjentë dhe mbetjeve elektronike, robotikës, ndryshimeve klimatike dhe ekonomisë qarkulluese të ushqimit në qytete. Secila nga këto tema përfshihet në një kurs të veçantë dhe nxënësit mund të zgjedhin një temë në fushën e interesave të tyre. 

Gjatë kursit, nxënësit bëjnë kërkime në internet, planifikojnë fushata për mediat sociale, regjistrojnë video dhe prezantime dhe zhvillojnë plane biznesi përmes moduleve për mësim. 

Nisma është nxitur nga Komisioni Evropian ku sipas European Commission’s Women in Digital Scoreboard 2019, gratë përfaqësojnë vetëm 34% të të diplomuarve në STEM (shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë) dhe 17% të specialistëve të TIK (teknologji të informacionit dhe komunikimit). 

Duke forcuar aftësitë e vajzave 14 deri në 18 vjeç në Evropën Jugore dhe Lindore, projekti Girls Go Circular do ta zvogëlojë hendekun gjinor digjital dhe do të kontribuojë në Aksionin 13 të Planit të aksionit të arsimit digjital 2021-2027 – Nxitja e pjesëmarrjes së grave në STEM (shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë), e financuar nga BE-ja dhe e zbatuar në të gjithë Evropën na jep mundësi ta shënojmë Maqedoninë e Veriut në hartën arsimore të Evropës. Rritja e numrit të grave, që hyjnë në tregun e aftësive digjitale, do të gjeneronte 16 miliardë euro shtesë në vit për ekonominë evropiane. 

Me pjesëmarrjen në projekt, nxënëset: 

  • punojnë individualisht dhe në ekip, 
  • e mësojnë rëndësinë e barazisë gjinore për të ardhmen e Evropës, 
  • i kapërcejnë stereotipet gjinore në lidhje me disiplinat STEM (shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë), 
  • zhvillojnë aftësi sipërmarrëse dhe digjitale përmes moduleve online, 
  • e rritin  pjesëmarrjen e vajzave/grave në sferën digjitale dhe sipërmarrëse, 
  • i zgjerojnë interesat e tyre në fusha të ndryshme dhe 
  • pajisen me certifikatë ndërkombëtare. 

Për Organizatën 

Junior Achievement Maqedoni organizon trajnime dhe punëtori të dedikuara për edukim sipërmarrës, edukim financiar dhe gatishmëri për punë të të rinjve, gara të ndryshme në nivel kombëtar dhe evropian. 

Besojmë se nxënësit, që janë pjesë e programit, nëpërmjet nesh i rrisin njohuritë, aftësitë dhe kompetencat e tyre për të bërë biznes, gjë që ndikon drejtpërdrejt në punësimin dhe vetëpunësimin e tyre më të madh. Ne kemi si qëllim të krijojmë një brez të rinjsh, të aftë për të zbatuar qasje dhe teknika inovative në aktivitetet e tyre mësimore dhe të përgatiten për vendin e punës.