I jepet çmimi idesë së biznesit “MultiBox” të nxënësve të shkollës së mesme nga Prilepi 

Posted on: 16.03.2021

Zgjidhja që u ofron konsumatorëve një mobilie praktike dhe interesante “MultiBox” ia solli fitoren shkollës së mesme Kuzman Josifovski – Pitu nga Prilepi në garën për aftësi sipërmarrëse të organizuar nga Junior Achievement Macedoni. Ideja e tyre e biznesit është një mobilie që shndërrohet në karrige, tavolinë kafeje dhe sirtar për ruajtje dhe ofron funksionalitet dhe shfrytëzim më të mirë të hapësirës. E bërë nga mbetjet plastike, të përpunuara dhe të modeluara posaçërisht, i ofron përdoruesit zgjidhje praktike për çdo hapësirë ​​të vogël dhe mund të mblidhet sipas nevojave të konsumatorëve. Gjithashtu, dimensionet mundësojnë kombinimin e më shumë kubeve. 

Ekipi që mori çmimin  e dytë nga shkolla e mesme Nikolla Karev nga Shkupi ofroi një pajisje kuzhine për shumë qëllime (thekës buke/toster, prerës dhe aparat kafeje), ndërsa çmimi i tretë shkoi për ekipin nga shkolla e mesme Rade Jovçevski Korçagin, i cili ofroi një zgjidhje inovative për një tryezë ngrënieje. Tryeza kryen edhe një funksion shtesë sipas zgjedhjes së konsumatorit – një vepër arti, pikturë, pasqyrë, qiell me yje. 

Këto janë disa nga idetë që juria me pesë anëtarë pati rastin t’i dëgjojë javën e kaluar. Në garën, e cila u zhvillua nga data 3 deri më 15 mars të vitit 2021, morën pjesë 123 nxënës nga 16 ekipe të shkollave të mesme nga Manastiri, Velesi, Vinica, Gjevgjelia, Gostivari, Koçani, Ohri, Prilepi, Sveti Nikolla, Shkupi, Strumica dhe Shtipi. 

Junior Achievement (JA) Maqedoni, gjithashtu, inkurajoi përfshirjen nga komuniteti i biznesit, duke u dhënë nxënësve mundësinë për të punuar me 16 vullnetarë biznesi, të cilët i këshilluan dhe i ndihmuan ata për të arritur qëllimin. Nxënësit patën mundësinë që, përmes një sërë aktivitetesh ekipore, duke përdorur të gjitha përfitimet e teknologjisë, të tregojnë kreativitetin, inovacionin dhe njohuritë e tyre në fushën e sipërmarrjes. 

Në ceremoninë e dhënies së çmimeve on-line, e cila u zhvillua më 15 mars, drejtori i Fondit për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik (FIZHT), Kosta Petrov, vuri në dukje se “Vitin e kaluar mbi 500 nxënës të shkollave të mesme dhe më shumë se 150 mësues ishin të përfshirë në aktivitetet e Junior Achievement Maqedoni. “FIZHT-i vazhdimisht e mbështet garën më të madhe të shkollave të mesme për inovacion, sepse investimet në talentet e reja janë pasuria dhe investimi më i madh në të ardhmen e vendit tonë.” 

Ambasadorja e SHBA-së në RMV Kate Marie Burns vuri në dukje se: “Jemi veçanërisht krenarë për partneritetin tonë me Junior Achievement, organizatë që i përgatit të rinjtë për punë në të ardhmen, duke i ndihmuar ata të bëhen financiarisht të pavarur dhe të guximshëm në zhvillimin e kompetencave sipërmarrëse. Qëllimi ynë është të krijojmë mundësi që të rinjtë të angazhohen këtu në vendin e tyre. Ne duam t’ju inkurajojmë të bëheni udhëheqësit e ardhshëm. Kjo është veçanërisht e rëndësishme që të rinjtë të qëndrojnë dhe të kontribuojnë në prosperitetin ekonomik dhe fuqizimin demokratik të vendit.” 

Nxënësve dhe mysafirëve të pranishëm iu drejtua Ministrja e Arsimit dhe Shkencës Milla Carovska, e cila theksoi se organizatat si JA janë të nevojshme “sepse zhvillimi i aftësive sipërmarrëse tek të rinjtë do të vazhdojë të jetë edhe pjesë e përparësive të politikave arsimore që ne aktualisht i krijojmë dhe do të zbatohet në periudhën e ardhshme. Synimi është që të krijohen sa më shumë nxënës, të cilët tregojnë një interes jashtëzakonisht të lartë për sipërmarrjen, duke ditur fuqinë e aftësive sipërmarrëse për sukses personal dhe prosperitet të mëtejshëm në jetën e çdo të riu.” 

Drejtoresha ekzekutive e Junior Achievement Maqedoni, Ljupka Pançevska arriti në përfundimin se “Kampi i inovacioneve, që zhvillohet për të gjashtën herë me radhë, është një vend ku nxënësit mund të mësojnë shkathtësi të reja, të dobishme për prezantim dhe punë ekipore si dhe të forcojnë kompetencat dhe shkathtësitë e tyre për sfidat e tregut bashkëkohor të punës.”  Kjo garë është pjesë e Projektit të USAID-it për mbështetjen e mësimit sipërmarrës në Evropën Juglindore dhe Euro-Azi, zbatuar nga Junior Achievement Maqedoni, i cili u mundëson të rinjve të fitojnë përvojë praktike për të drejtuar një biznes dhe për zhvillimin e aftësive të reja, të tilla si puna në ekip, udhëheqja, prezantimi, planifikimi dhe operacione financiare, të nevojshme për menaxhim të suksesshëm të ekonomisë në vend. Ekipet fituese, përveç çmimeve të fituara, do të kenë mundësinë t’i shfrytëzojnë bursat e studimit, të dhëna nga Akademia e Biznesit Smilevski nga Shkupi